Luka 10
Albanian
1Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte. 2Dhe u thoshte atyre: ''E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet. 3Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve. 4Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës. 5Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi". 6Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju. 7Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t'ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër. 8Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t'ju vënë përpara. 9Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar". 10Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni: 11Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar. 12Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.

13Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi. 14Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju. 15Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr.

16Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar''.

17Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: ''Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd''. 18Dhe ai u tha atyre: ''Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe. 19Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t'ju dëmtojë. 20Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej''.

21Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu. 22Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t'ia zbulojë''.

23Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: ''Lum sytë që shohin ato që shihni ju, 24sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan''.

25Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: ''Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''. 26Dhe ai tha: ''Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?''. 27Ai duke u përgjigjur tha: ''Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten''. 28Jezusi i tha: ''U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh''. 29Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: ''Po kush është i afërmi im?''.

30Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur. 31Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër. 32Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër. 33Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri. 34Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të. 35Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç'të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem". 36Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?''. 37Dhe ai tha: ''Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij''. Atëherë Jezusi i tha: ''Shko dhe bëj kështu edhe ti''.

38Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet. 39Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij. 40Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: ''Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë''. 41Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra; 42por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t'i hiqet''.



Albanian

Bible Hub

Luke 9
Top of Page
Top of Page