Galatasve 4
Albanian
1Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave, 2por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati. 3Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës, 4por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, 5që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë. 6Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: ''Abba, Atë!''. 7Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.

8Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi; 9kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t'u nënshtroheni? 10Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite. 11Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.

12O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s'më keni bërë asnjë të keqe. 13Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit; 14dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s'patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet. 15Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m'i jepnit mua. 16A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën? 17Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t'ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre. 18Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush. 19Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju! 20Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.

21Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin? 22Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira. 23Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit. 24Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari. 25Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj. 26Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.

27Sepse është shkruar: ''Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin''.

28Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku. 29Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.

30Po çfarë thotë shkrimi? ''Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës''.

31Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.



Albanian

Bible Hub

Galatians 3
Top of Page
Top of Page