Zanafilla 30
Albanian
1Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: "Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes". 2Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: "Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?". 3Ajo u përgjegj: "Ja shërbyesja ime Bilhah; hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi; kështu nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë". 4Kështu ajo i dha për grua shërbyesen e vetë Bilhah dhe Jakobi hyri tek ajo. 5Dhe Bilhah u ngjiz dhe i dha një bir Jakobit. 6Atëherë Rakela tha: "Perëndia më dha të drejtë; ai dëgjoi gjithashtu zërin tim dhe më dha një bir". Prandaj i vuri emrin Dan. 7Pastaj Bilhah, shërbyesja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit. 8Atëherë Rakela tha: "Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare". Prandaj e quajti djalin Neftali.

9Por Lea, duke parë që nuk po bënte më fëmijë, mori shërbyesen e saj Zilpah dhe ia dha për grua Jakobit 10Kështu Zilpah, shërbyesja e Leas, i lindi një bir Jakobit. 11dhe Lea tha: "Ç'fat!". Dhe i vuri emrin Gad. 12Pastaj Zilpah, shërbëtore e Leas, i lindi Jakobit një bir të dytë. 13Dhe Lea tha: "Sa e lumtur jam! Sepse gratë do të më quajnë të lumtur". Prandaj i vuri emrin Asher.

14Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti në fushat mandragora dhe ia çoi nënës së tij, Leas. Atëherë Rakela i tha Leas: "Më jep edhe mua ca mandragora të birit tënd!". 15Ajo iu përgjegj: "Të duket gjë e vogël që më more burrin, dhe tani kërkon të marrësh edhe mandragorat e djalit tim?". Rakela tha: "Mirë, pra, si shpërblim për mandragorat e birit tënd, sonte ai do të bjerë në shtrat me ty". 16Kur në mbrëmje Jakobi u kthye nga arat, Lea doli ta takojë dhe i tha: "Duhet të hysh tek unë, se të kam shtënë në dorë me mandragorat e birit tim". Kështu, atë natë, ai ra në shtrat me të. 17Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë. 18Dhe ajo tha: "Perëndia më dha shpërblimin që më takonte, sepse i dhashë shërbyesen time burrit tim". Dhe e quajti Isakar. 19Pastaj Lea u ngjiz përsëri dhe i dha Jakobit një bir të gjashtë. 20Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon. 21Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina.

22Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme; 23kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: "Perëndia e hoqi turpin tim". 24Dhe e quajti Jozef, duke thënë: "Zoti më shtoftë një bir tjetër".

25Mbas lindjes së Jozefit nga Rakela, Jakobi i tha Labanos: "Më lejo të iki, që të shkoj në shtëpinë time, në vendin tim. 26Më jep gratë e mia dhe bijtë e mi, për të cilët të kam shërbyer dhe lermë të iki, mbasi ti e njeh mirë shërbimin që të kam bërë". 27Por Labano i tha: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro, sepse kam prekur me dorë që Zoti më ka bekuar për shkakun tënd". 28Pastaj tha: "Ma cakto pagesën tënde dhe unë do të ta jap". 29Jakobi iu përgjegj: "Ti e di si të kam shërbyer, dhe çfarë i ka ndodhur bagëtisë sate në duart e mia. 30Sepse ajo që ti kishe para se të vija unë ishte pak, por tani është rritur shumë; dhe Zoti të ka bekuar kudo që kam qënë unë. Por tani kur do të punoj edhe për shtëpinë time?". 31Labano tha: "Sa duhet të të jap?". Jakobi iu përgjigj: "Nuk duhet të më japësh asgjë; në qoftë se ti do të bësh atë që po të them, do të mbetem këtu për të kullotur kopetë e tua dhe për t'u kujdesur për to. 32Do të kaloj ditën e sotme në mes tërë kopeve të tua dhe do të veçoj të gjitha kafshët laramane dhe pikalarme, të gjithë qingjat e zinj dhe të gjitha dhitë lara-lara ose pika-pika. Dhe këto kafshë do të jenë pagesa ime. 33Kështu tani e tutje ndershmëria ime do të përgjigjet para teje për personin tim, kur do të vish të kontrollosh pagesën time; çdo bagëti që nuk është laramane a me pika midis dhive dhe çdo qengj jo i zi do të konsiderohet i vjedhur po të gjindet pranë meje". 34Labano tha: "Mirë, le të bëhet ashtu si thua ti!". 35dhe po atë ditë veçoi cjeptë vija-vija dhe me pika dhe të gjitha dhitë laramane dhe pika pika, çdo bagëti që kishte një njollë të bardhë apo çdo dele e zezë midis dhenve, dhe ua la bijve të vet. 36Dhe Labano vendosi një distancë prej tri ditësh me këmbë midis vetes së tij dhe Jakobit; dhe Jakobi kulloste pjesën që mbeti nga kopetë e Labanos.

37Dhe Jakobi mori disa purteka të njoma plepi, bajameje dhe rrapi; u bëri disa zhvoshkje, duke zbuluar të bardhën e purtekave. 38Pastaj i vendosi purtekat që kishte zhvoshkur që të shikoheshin nga dhentë në koritë, domethënë në vendet ku kopetë vinin për të pirë ujë; dhe kafshët vinin në afsh kur vinin për të pirë. 39Kështu kafshët vinin në afsh përpara purtekave dhe pillnin qengja vija-vija, lara-lara dhe pika pika. 40Pastaj Jakobi i veçonte këta qengja dhe bënte që kopetë t'i kthenin sytë nga kafshët vija-vija dhe nga tërë ato të zeza në kopenë e Labanos. Ai formoi kështu kope të veçanta, që nuk i bashkoi me kopetë e Labanos. 41Por ndodhte që sa herë kafshët e fuqishme të kopesë vinin në afsh, Jakobi i vinte purtekat në koritë para deleve, në mënyrë që këto të hynin në afsh afër purtekave; 42Por kur kafshët e kopesë ishin të dobëta, nuk i vinte ato; kështu që qengjat e dobëta ishin të Labanos dhe ata të shëndoshë të Jakobit. 43Kështu ai u bë shumë i pasur dhe pati një numër të madh kopesh, shërbëtoresh, shërbëtorësh, devesh dhe gomarësh.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Genesis 29
Top of Page
Top of Page