Romakëve 3
Albanian
1Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes? 2E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre. 3Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?

4Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ''Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''.

5Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç'do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri). 6Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën? 7Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar? 8E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: ''Të bëjmë të keqen që të vijë e mira''? Dënimi i këtyre është i drejtë.

9E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat,

10siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.

11Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.

12Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.

13Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;

14goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;

15këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;

16në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,

17dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;

18nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre''.

19Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë, 20sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.

21Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, 22madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; 23sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, 24por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. 25Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, 26për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.

27Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit. 28Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit. 29A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve. 30Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.

31Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Romans 2
Top of Page
Top of Page