Veprat e Apostujve 19
Albanian
1Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre: 2''A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?''. Ata iu përgjigjën: ''Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë''. 3Dhe ai u tha atyre: ''Me se, pra, u pagëzuat?''. Ata u përgjigjën: ''Me pagëzimin e Gjonit''. 4Atëherë Pali tha: ''Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t'i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit. 5Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus. 6Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan. 7Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

8Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë. 9Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani. 10Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, Judenj dhe Grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus.

11Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit, 12aq sa mbi të sëmurët sillnin peshqirë dhe përparëse që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre. 13Dhe disa yshtës shëtitës Judenj u orvatën të thërrasin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymërat e liga, duke thënë: ''Ju përbetohemi për Jezusin, që Pali predikon!''. 14Ata që bënin këtë ishin shtatë bijtë e njëfarë Skevi, kryeprift jude. 15Por fryma e ligë u përgjigj dhe tha: ''Unë e njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju cilët jeni?''. 16Atëherë ai njeri që kishte frymën e ligë u hodh mbi ta dhe si i mundi, ushtroi një dhunë aq të madhe sa ata ikën nga ajo shtëpi, lakuriq e të plagosur. 17Kjo u muar vesh nga të gjithë Judenjtë dhe Grekët që banonin në Efes, dhe të gjithë i zuri frika, dhe emri i Zotit Jezus ishte madhëruar. 18Dhe shumë nga ata që kishin besuar vinin të rrëfeheshin dhe të tregonin gjërat që kishin bërë. 19Shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve; dhe, mbasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë pjesë argjendi. 20Kështu fjala e Perëndisë shtohej dhe forcohej.

21Mbas këtyre ngjarjeve, Pali kishte vendosur në mendje të shkojë në Jeruzalem, duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai, dhe thoshte: ''Mbasi të kem qenë atje, më duhet të shoh edhe Romën''. 22Atëherë dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, dhe vetë ndenji edhe ca kohë në Azi.

23Dhe në atë kohë u bë një trazirë e madhe lidhur me Udhën, 24sepse një farë njeriu, me emër Dhimitër, argjendar, i cili bënte tempuj të Dianës në argjend, u sillte artizanëve jo pak fitim. 25Ai i mblodhi këta bashkë me punëtorët që kishin një aktivitet të përafërt, dhe tha: ''O burra, ju e dini se fitimi ynë vjen nga kjo veprimtari. 26Dhe ju shihni dhe dëgjoni se ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar. 27Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të diskreditohet, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Diana të mos vlerësohet më aspak dhe që t'i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon''.

28Ata, kur i dëgjuan këto gjëra, u mbushën me inat dhe bërtisnin, duke thënë: ''E madhe është Diana e Efesianëve!''. 29Dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë; dhe si i morën me forcë Gain dhe Aristarkun, Maqedonas, bashkudhëtarë të Palit, rendën të gjithë, me një mendje, në teatër. 30Dhe Pali donte t'i dilte popullit, por dishepujt nuk e lejonin. 31Edhe disa Aziarkë, që ishin miq të tij, i çuan për ta lutur të mos dilte në teatër. 32Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur. 33Atëherë nga turma nxorën Aleksandrin, të cilin e shtynin Judenjtë. Dhe Aleksandri, mbasi bëri shenjë me dorë, donte të paraqiste një apologji para popullit. 34Por, kur e morën vesh se ishte Jude, të gjithë me një zë filluan të bërtasin për gati dy orë: ''E madhe është Diana e Efesianëve!''. 35Kancelari i qytetit, mbasi e qetësoi turmën, tha: ''O Efesianë, cili është vallë ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve është mbrojtësi i tempullit të perëndeshës së madhe Diana dhe i imazhit të saj që ra nga Zeusi? 36Duke qenë, pra, se këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe të mos bëni asgjë të nxituar. 37Sepse i prutë këta njerëz që nuk janë as sacrileghi as blasfemues të perëndeshës suaj. 38Pra, në qoftë se Dhimitri dhe mjeshtrit që janë me të kanë diçka kundër dikujt, gjykatat janë hapur dhe prokonsuj ka; le të padisin njëri-tjetrin. 39Dhe nëse keni ndonjë kërkesë tjetër për të bërë, të zgjidhet në kuvendin sipas ligjit. 40Ne në fakt jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për ngjarjen e sotme, sepse nuk ka asnjë arsye me të cilën të përligjet ky grumbullim''. 41Dhe, si i tha këto, e shpërndau mbledhjen.



Albanian

Bible Hub

Acts 18
Top of Page
Top of Page