Veprat e Apostujve 24
Albanian
1Por pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Anania bashkë me pleqtë dhe me një gojtar, një farë Tertuli; ata dolën përpara qeveritarit për të akuzuar Palin. 2Kur u thirr Pali, Tertuli filloi ta akuzojë duke thënë: 3''Fort i shkëlqyeri Feliks, ne e pranojmë në gjithçka e për gjithçka dhe me mirënjohje të thellë se paqja të cilën gëzojmë dhe reformat dobiprurëse që janë zbatuar për këtë komb janë vepër e masave të tua largpamëse. 4Por, për të mos të shqetësuar më gjatë, të lutem me mirësinë tënde, të na dëgjosh shkurtimisht. 5Ne kemi gjetur se ky njeri është një murtajë dhe shkakton trazira midis gjithë Judenjve që janë në botë dhe është kryetari i sektit të Nazarenasve. 6Ai, madje, u përpoq të përdhosë tempullin; dhe ne e zumë dhe deshëm ta gjykonim sipas ligjit tonë. 7Por erdhi tribuni Lisia dhe e mori me forcë nga duart tona, 8duke i urdhëruar paditësit e tij të vijnë tek ti; duke e hetuar atë, do të mundësh ti vetë të marrësh vesh prej tij të vërtetën e të gjitha gjërave, për të cilat ne e akuzojmë''. 9Edhe Judenjtë u bashkuan, duke pohuar se kështu qëndronin gjërat.

10Atëherë Pali, mbasi qeveritari i bëri shenjë të flasë, u përgjigj: ''Duke ditur se prej shumë vjetësh ti je gjykatësi i këtij kombi, flas edhe më me guxim në mbrojtje të vetes. 11Jo më shumë se dymbëdhjetë ditë më parë, siç mund ta verifikosh, unë u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar. 12Dhe këta nuk më gjetën në tempull duke u grindur me ndonjë, ose duke nxitur turmën as në sinagogat as edhe nëpër qytet; 13dhe as mund të provojnë gjërat për të cilat tani më akuzojnë. 14Por unë po të rrëfej këtë: sipas Udhës që ata e quajnë sekt, unë i shërbej kështu Perëndisë së etërve, duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe në profetët, 15duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve. 16Prandaj unë përpiqem të kem vazhdimisht një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve. 17Tani, pas shumë vjetësh, unë erdha të sjell lëmosha dhe oferta kombit tim. 18Por, tek po bëja këtë, ata më gjetën të pastruar në tempull, pa asnjë tubim ose trazirë. 19Por ishin disa Judenj të Azisë, që duhej të dilnin para teje për të më akuzuar, se kishin diçka kundër meje. 20Ose vetë këta le të thonë nëse kanë gjetur ndonjë padrejtësi tek unë, kur rrija përpara sinedrit, 21veç mos qoftë vetëm për atë fjalë që unë thirra duke qëndruar në këmbë para tyre: "Për shkak të ringjalljes së të vdekurve sot unë gjykohem prej jush!"''.

22Kur i dëgjoi këto gjëra, Feliksi, që ishte i mirinformuar për Udhën, e shtyu gjyqin, duke thënë: ''Kur të vijë tribuni Lisia, do të marr në shqyrtim çështjen tuaj''. 23Dhe i dha urdhër centurionit që Palin ta ruanin, por të kishte njëfarë lirie, pa penguar asnjë nga të vetët t'i kryejnin shërbime ose të vijnin ta takojnin.

24Pas disa ditësh Feliksi, që kishte ardhur me gruan e vet Druzila, që ishte jude, dërgoi ta thërresin Palin dhe e dëgjoi lidhur me besimin në Jezu Krishtin. 25Dhe, duke qenë se Pali fliste për drejtësi, për vetëkontroll dhe për gjyqin e ardhshëm, Feliksi, shumë i trembur, u përgjigj: ''Për tani shko, dhe kur të kem rast, do të dërgoj të të thërrasin''. 26Njëkohësisht ai shpresonte se Pali do t'i jepte para që ta lironte; dhe prandaj e thërriste shpesh dhe bisedonte me të. 27Por pas dy vjetësh, Feliksit ia zuri vendin Porc Festi; dhe Feliksi, duke dashur t'ua bëjë qejfin Judenjve, e la Palin në burg.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Acts 23
Top of Page
Top of Page