Ezekieli 26
Albanian
1Ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, që fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë: 2Bir njeriu, duke qenë se Tiro ka folur kundër Jeruzalemit: Ah, Ah! Porta e popujve është thyer, ajo është drejtuar nga unë; unë do të mbushem tani që ajo është prishur"". 3Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Tiro. Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe, ashtu si deti bën të ngrihen valët e tij. 4Ata do të shkatërrojnë muret e Tiros dhe do të shembin kullat e tij; do të fshij prej tij edhe pluhurin e tij dhe do ta bëj si një shkëmb të zhveshur. 5Ai do të jetë një vend për të hedhur rrjetat në mes të detit, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti; "do të plaçkitet nga kombet; 6edhe bijat e tij që janë në fshat do të vriten nga shpata; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

7Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish. 8Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash. 9Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij. 10Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë. 11Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen. 12Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde. 13Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më. 14Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti".

15Kështu i thotë Zoti, Zoti, Tiros: "Në zhurmën e rënies sate, në rënkimin e të plagosurve për vdekje, në kërdinë që do të bëhet në mes teje, a nuk do të dridhen vallë ishujt? 16Atëherë princat e detit do të zbresin nga fronet e tyre, do të heqin mantelet e tyre dhe do të heqin rrobat e tyre të qëndisura; do të vishen me drithërim, do të ulen për tokë, do të dridhen në çdo çast dhe do të jenë të tronditur thellë për ty.

17Do të ngrenë një vajtim për ty dhe do të thonë: "Si je zhdukur, ti që ishe banuar nga princat e detit, qytet i famshëm, që ishe aq i fuqishëm në det? Ti dhe banorët e tu u kallje tmerrin gjithë atyre që banonin atje.

18Tani ishujt do të dridhen ditën e rënies sate, ishujt e detit do të tmerrohen nga fundi yt"".

19Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të të bëj një qytet të shkretë si qytetet që nuk kanë banorë dhe kur të bëj të ngjitet humnera mbi ty dhe ujërat e mëdha të të mbulojnë, 20atëherë do të zbresësh me ata që zbresin në gropë, midis popullit të dikurshëm, do të të bëj të rrish në thellësitë e tokës, në vende të shkretuara qysh prej lashtësisë, me ata që zbresin në gropë me qëllim që ti të mos banohesh më, por do të jap shkëlqim mbi tokën e të gjallëve. 21Do të bëj një tmerr dhe nuk do të jesh më; do të të kërkojnë, por nuk do të të gjejnë kurrë më", thotë Zoti, Zoti.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Ezekiel 25
Top of Page
Top of Page