Albanian 1Pastaj Samueli i tha Saulit: "Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit.
2Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti.
3Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë". 4Sauli thirri popullin dhe kaloi në parakalim në Telaim; dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë njerëz të Judës. 5Sauli erdhi në qytetin e Amalekut dhe zuri pritë në luginë. 6pastaj Sauli u tha Kenejve: "Shkoni, tërhiquni, dilni jashtë Amalekitëve, që të mos ju shkatërrojë bashkë me ta, sepse ju u treguat të mëshirshëm me të gjithë bijtë e Izraelit kur po dilnin nga Egjipti". Kështu Kenejtë u tërhoqën nga radhët e Amalekitëve. 7Sauli i mundi Amalekitët nga Havilahu deri në Shur, që ndodhet përballë Egjiptit. 8Ai e zuri të gjallë Agagun, mbretin e Amalekitëve, dhe vendosi shfarosjen e të gjithë popullit, duke i vrarë me shpatë. 9Por Sauli dhe populli kursyen Agagun dhe pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve, të kafshëve të majme, të qengjave dhe të kafshëve më të mira, duke mos vendosur shkatërrimin e tyre; por vendosën zhdukjen e tërë sendeve që ishin të një cilësie të dobët dhe pa asnjë vlerë. 10Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit, duke i thënë: 11Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhërat e mia. Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit. 12Në mëngjes herët Samueli u ngrit për t'i dalë përpara Saulit; por erdhën t'i thonë Samuelit: "Sauli ka shkuar në Karmel, dhe i ka ngritur vetes një monument; pastaj është kthyer duke kaluar tutje dhe ka zbritur në Gilgal". 13Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: "Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit". 14Por Samueli tha: "Ç'është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?". 15Sauli u përgjegj: "Këto janë kafshë që ua kemi marrë Amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t'i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset". 16Atëherë Samueli i tha Saulit: "Mjaft! Unë do të të tregoj atë që më tha Zoti sonte!". Sauli i tha "Folë". 17Kështu Samueli tha: "A nuk është vallë e vërtetë që kur ishe i vogël në sytë e tu ishe bërë kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit? 18Zoti të kishte ngarkuar një mision, duke thënë: "Shko, vendos shfarosjen e mëkatarëve Amalekitë dhe lufto kundër tyre deri sa të shfarosen". 19Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?". 20Sauli i tha Samuelit: "Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje Amalekitët. 21Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t'i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd, në Gilgal". 22Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. 23Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret". 24Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij. 25Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit". 26Por Samueli iu përgjegj Saulit: "Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin". 27Ndërsa Samueli po kthehej për të ikur, Sauli i kapi skajin e mantelit të tij që u gris. 28Atëherë Samueli i tha: "Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti. 29Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet". 30Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit; kthehu me mua, që të bie përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd". 31Kështu Samueli u kthye me Saulin, dhe Sauli ra përmbys përpara Zotit. 32Pastaj Samueli tha: "Më sillni Agagun, mbretin e Amalekitëve". Agagu shkoi tek ai me qejf. Agagu thoshte: "Me siguri hidhërimi i vdekjes ka kaluar". 33Samueli i tha: "Ashtu si shpata i la pa fëmijë gratë, kështu edhe nëna jote do të mbetet pa të birin midis grave". Pastaj Samueli e preu copë-copë Agagun përpara Zotit në Gilgal. 34Pastaj Samueli shkoi në Ramah dhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij, në Gibeahun e tij. 35Samueli nuk shkoi për ta parë më Saulin deri ditën e vdekjes së tij, sepse Samueli mbante zi për Saulin; dhe Zoti u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit. |