2 Timoteut 1
Albanian
1Pali, apostulli i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus,

2Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

3E falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej sikurse edhe të parët e mi me ndërgjegje të pastër, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia, ditë e natë; 4dhe, kur kujtoj lotët e tu, kam shumë mall të të shoh që të mbushem me gëzim, 5sepse kujtoj besimin e sinqertë që është në ty, i cili më parë ishte te gjyshja jote Loide dhe te nëna jote Eunike, dhe jam i bindur se është edhe te ti. 6Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia. 7Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.

8Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë, 9që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve 10dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit, 11për të cilin unë u caktova predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve. 12Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë. 13Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus. 14Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne.

15Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni. 16Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia; 17madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti. 18Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Ti e di më mirë se askush sa shërbime më bëri në Efes.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

1 Timothy 6
Top of Page
Top of Page