Psalmet 135
Albanian
1Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,

2që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.

3Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.

4Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.

5Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.

6Zoti bën ç'të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.

7Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

8Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,

9dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.

10Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:

11Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.

12Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.

13O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

14Sepse Zoti do t'i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.

15Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;

16kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

17kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.

18Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.

19Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.

20Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.

21Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Psalm 134
Top of Page
Top of Page