Nahumi 1
Albanian
1Profecia mbi Niniven. Libri i vegimit të Nahumit nga Elkoshi.

2Zoti është një Perëndi xheloz dhe hakmarrës; Zoti është hakmarrës dhe plot tërbim. Zoti hakmerret me kundërshtarët e tij dhe e ruan zemërimin për armiqtë e tij.

3Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun. Zoti vazhdon rrugën e tij në shakullimë dhe në furtunë dhe retë janë pluhuri i këmbëve të tij.

4Ai e qorton rëndë detin dhe e than, i bën të thahen të gjithë lumenjtë. Bashani dhe Karmeli thahen dhe lulja e Libanit fishket.

5Malet dridhen para tij, kodrat treten; në prani të tij toka ngrihet, po, bota dhe tërë banorët e saj.

6Kush mund t'i rezistojë indinjatës së tij dhe kush mund të durojë zjarrin e zemërimit të tij? Tërbimi i tij derdhet si zjarr dhe shkëmbinjtë janë prej tij të thërmuara.

7Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë; ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek ai.

8Por me një përmbytje të madhe ai do të kryejë një shkatërrim të plotë të vendit të tij dhe armiqtë e tij do të përndiqen nga terri.

9Çfarë projektoni kundër Zotit? Ai do të kryejë një shkatërrim të plotë: fatkeqësia nuk do të ndodhë dy herë.

10Edhe sikur të ishin si ferrat e dendura edhe të dehur nga vera që kanë pirë, ata do të gllabërohen si kashta fare e thatë.

11Prej teje doli ai që ka kurdisur të keqen kundër Zotit, ai që ka konceptuar ligësinë.

12Kështu thotë Zoti: "Edhe sikur të ishin plot forcë dhe të shumtë, do të kositen dhe do të zhduken. Ndonëse të kam pikëlluar, nuk do të pikëlloj më.

13Tani do të thyej zgjedhën e saj nga trupi yt dhe do t'i shkul lidhjet e tua".

14Por lidhur me ty Zoti ka dhënë këtë urdhër: "Emri yt nuk do të përjetësohet më. Nga tempulli i perëndive të tua do të zhduk figurat e gdhendura dhe ato të derdhura. Do të të përgatis varrin se je i neveritshëm".

15Ja mbi male këmbët e atij që njofton lajme të mira dhe që shpall paqen! Kremto festat e tua solemne, o Judë, plotëso betimet e tua, sepse i ligu nuk do të kalojë më në mes teje; ai do të shfaroset krejt.



Albanian

Bible Hub

Micah 7
Top of Page
Top of Page