Mateu 2
Albanian
1Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem, 2duke thënë: ''Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar''. 3Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi. 4Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti. 5Dhe ata i thanë: ''Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:

6Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin''.

7Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë. 8Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: ''Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj''. 9Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. 10Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. 11Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë. 12Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

13Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë''.

14Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt. 15Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç'ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: ''E thirra birin tim nga Egjipti''.

16Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, 17Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:

18''Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më''.

19Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt, 20dhe i thotë: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur''. 21Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit; 22por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë, 23dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: ''Ai do të quhet Nazareas''.



Albanian

Bible Hub

Matthew 1
Top of Page
Top of Page