Vajtimet 2
Albanian
1Si bëhet që në zemërimin e tij Zoti ka mbuluar me një re bijën e Sionit? Ai ka hedhur nga qielli në tokë lavdinë e Izraelit dhe nuk u kujtua për ndenjësen e këmbëve të tij ditën e zemërimit të tij.

2Zoti i ka shkatërruar pa mëshirë të gjitha banesat e Jakobit; në zemërimin e tij ka shembur fortesat e bijës së Judës, i ka hedhur për tokë duke përdhosur mbretërinë dhe krerët e saj.

3Me një zemërim të zjarrtë ka thyer tërë fuqinë e Izraelit, ka tërhequr të djathtën e tij përpara armikut, ka djegur në mes të Jakobit si një zjarr flakërues që gllabëron gjithçka rreth e qark.

4Ka nderur harkun e tij si një armik, ka ngritur dorën e djathtë si një kundërshtar, ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë në çadrën e bijës së Sionit, e ka derdhur zemërimin e tij si një zjarr.

5Zoti u bë si një armik; përpiu Izraelin, përpiu tërë pallatet e tij, shkatërroi fortesat e tij, shumëfishoi të qarat dhe vajtimet tek e bija e Judës.

6Shkatërroi tabernakullin e tij si një kopësht, prishi vendin ku mblidhet kuvendi; Zoti bëri të harrohen në Sion festat solemne dhe të shtunat dhe gjatë tërbimit e të zemërimit të tij hodhi poshtë mbretër dhe priftërinj.

7Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne.

8Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë.

9Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti.

10Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre.

11Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit.

12Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?", ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre.

13Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?

14Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.

15Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur", "gëzimi i tërë tokës"?".

16Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".

17Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.

18Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.

19Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".

20Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?

21Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.

22Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Lamentations 1
Top of Page
Top of Page