1 i Samuelit 3
Albanian
1Samueli i ri i shërbente Zotit në prani të Eliut. Fjala e Zotit ishte e rrallë në ato ditë, dhe nuk kishte ndonjë zbulesë të gjerë.

2Në atë kohë Eli rrinte shtrirë në vendin e tij të zakonshëm (tani shikimi i tij kishte filluar të errësohej dhe ai nuk mund të shikonte). 3Llampa e Perëndis nuk ishte shuar akoma dhe Samueli ishte shtrirë në tabernakullin e Zotit, ku gjendej edhe arka e Perëndisë. 4Atëherë Zoti thirri Samuelin që u përgjegj: "Ja ku jam!". 5Pastaj vrapoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Ai u përgjegj: "Unë nuk të kam thirrur, shko të flesh". Kështu ai vajti të flerë. 6Zoti e thirri përsëri Samuelin. Dhe Samueli u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Por ai u përgjegj: "Biri im, unë nuk të kam thirrur; shko të flesh". 7(Por Samueli nuk e njihte akoma Zotin, dhe fjala e tij nuk i ishte shfaqur akoma). 8Zoti e thirri përsëri për të tretën herë Samuelin. Kështu ai u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Atëherë Eli kuptoi që Zoti e thërriste të riun. 9Prandaj Eli i tha Samuelit: "Shko e bjer dhe, në qoftë se të thërret prapë, do të thuash: "Folë, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon"". Kështu Samueli vajti të shtrihet në vendin e tij.

10Pastaj Zoti erdhi, u vendos aty afër dhe thirri si herët e tjera: "Samuel, Samuel!". Samueli u përgjegj: "Folë, sepse shërbëtori yt të dëgjon". 11Atëherë Zoti i tha Samuelit: "Ja, jam duke bërë në Izrael një gjë që do të shungullojë veshët e kujtdo që ka për ta dëgjuar. 12Atë ditë unë do të kryej kundër Eliut të gjitha ato që thashë lidhur me shtëpinë e tij, nga fillimi deri në fund. 13Po i deklaroj që jam bërë gati të ndëshkoj shtëpinë e tij për gjithnjë, për shkak të paudhësisë që e karakterizon, sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar. 14Prandaj unë i betohem shtëpisë së Elit që paudhësia e shtëpisë së Elit nuk do të shlyhet kurrë me flijime dhe me blatime".

15Samueli mbeti i shtrirë deri në mëngjes, pastaj hapi dyert e shtëpisë së Zotit. Ai kishte frikë t'i tregonte Elit vegimin e tij. 16Por Eli thirri Samuelin, duke thënë: "Samuel, biri im!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam". 17Ai tha: "Çfarë të tha? Të lutem, mos më fshih asgjë. Perëndia veproftë ashtu me ty, madje edhe më keq, në rast se ti më fsheh diçka nga të gjitha ato që të tha". 18Samueli ia tregoi atëherë të gjitha, pa i fshehur asgjë. Dhe Eli tha: "Ai është Zoti; le të bëjë atë që i pëlqen atij".

19Ndërkaq Samueli rritej; dhe Zoti ishte me të dhe nuk la të shkonin kot asnjë nga fjalët e tij. 20Tërë Izraeli, nga Dani deri tek Beer-Sheba, mësoi që Samueli ishte bërë profet i Zotit. 21Zoti vazhdonte t'i shfaqej në Shiloh, sepse në Shiloh Zoti i shfaqej Samuelit me anë të fjalës së vet.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

1 Samuel 2
Top of Page
Top of Page