Ezekieli 11
Albanian
1Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në portën lindore të shtëpisë të Zotit që shikon nga lindja; dhe ja, në hyrje të portës kishte njëzet e pesë burra, ndër të cilët pashë Jaazaniahun, birin e Azurit, 2Ai më tha: "Bir njeriu, këta janë ata njerëz që kurdisin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet. 3Ata thonë: "Koha nuk është e afërt. Të ndërtojmë shtëpi! Ky qytet është kusia dhe ne jemi mishi". 4Prandaj profetizo kundër tyre, profetizo, bir njeriu".

5Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe më tha: "Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë i njoh gjërat që ju shkojnë në mend. 6Ju i keni shumuar ata që keni goditur për vdekje në këtë qytet dhe keni mbushur me të vdekur rrugët e tij". 7Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ata që keni vrarë dhe që i keni bërë tog në mes të saj janë mishi dhe ky qytet është kusia, por unë do t'ju nxjerr nga mesi i tij. 8Ju keni frikë nga shpata dhe unë do të sjell mbi ju shpatën", thotë Zoti, Zoti. 9Unë do t'ju nxjerr nga mesi i tij, do t'ju jap në dorë të të huajve dhe do të zbatoj mbi ju vendimet e mia. 10Ju do të bini nga shpata, do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti. 11Ky qytet nuk do të jetë më për ju një kusi dhe ju nuk do të jeni për të mishi; unë do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit. 12Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, sepse nuk keni ecur sipas statuteve të mia dhe as keni zbatuar ligjet e mia, por keni vepruar sipas ligjeve të kombeve që ju rrethojnë".

13Ndodhi që, ndërsa unë profetizoja, Pelatiahu, bir i Benajahut, vdiq. Atëherë rashë me fytyrë për tokë dhe bërtita me të madhe, duke thënë: "Ah, Zot, Zot, dëshiron ta shkatërrosh krejt mbetjen e Izraelit?".

14Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: 15Bir njeriu, vëllezërit e tu, vetë të afërmit e tu, ata që janë çliruar bashkë me ty dhe tërë shtëpia e Izraelit janë ata të cilëve banorët e Jeuzalemit u kanë thënë: Largohuni, pra, nga Zoti; ky vend na është dhënë si trashëgimi". 16Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Megjithatë unë i kam larguar midis kombeve dhe i kam shpërndarë në vende të huaja, unë do të jem për ta për pak kohë një shenjtërore në vendet ku kanë shkuar. 17Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Do t'ju mbledh ndër popuj, do t'ju grumbulloj nga vendet ku jeni shpërndarë dhe do t'ju jap tokën e Izraelit. 18Ata do të kthehen dhe do të heqin tërë gjërat e tij të urrejtshme dhe tërë gjërat e neveritshme të tij. 19Dhe unë do t'ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t'u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t'u jap një zemër prej mishi, 20me qëllim që të ecin sipas statuteve të mia dhe të respektojnë ligjet e mia dhe t'i vënë në praktikë; atëherë ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre. 21Po për ata të cilët kanë zemër që vë në zbatim gjërat e tyre të urrejtshme dhe të neveritshme, do të bëj që mbi kokën e tyre të bjerë sjellja e tyre", thotë Zoti, Zoti.

22Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe rrotat lëvizën pranë tyre dhe lavdia e Perëndisë të Izraelit rrinte lart mbi ta. 23Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit dhe u ndal mbi malin, që ishte në lindje të qytetit. 24Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në Kalde midis atyre që ishin në robëri, në një vegim për Frymën e Perëndisë dhe vegimi që kisha parë u zhduk para meje duke u ngritur lart; 25dhe unë u tregova atyre që ishin në robëri të gjitha gjërat që Zoti më kishte bërë të shoh.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Ezekiel 10
Top of Page
Top of Page