Veprat e Apostujve 28
Albanian
1Dhe si shpëtuan, morën vesh atëherë se ishulli quhej Maltë. 2Barbarët treguan ndaj nesh një mirësjellje të pazakontë, sepse ndezën një zjarr të madh dhe na morën të gjithëve brenda, sepse binte shi dhe bënte ftohtë. 3Dhe, ndërsa Pali mblidhte ca shkarpa dhe i vinte mbi zjarr, nga të nxehtit doli një nepërkë dhe iu ngjit te dora. 4Barbarët, kur panë gjarprin që i varej nga dora, i thanë njëri-tjetrit: ''Me siguri ky njeri është një vrasës, sepse, edhe pse shpëtoi nga deti, drejtësia hyjnore nuk e lë të rrojë''. 5Por Pali, si e shkundi gjarprin në zjarr, nuk pësoi ndonjë të keqe. 6Dhe ata po prisnin që ai të fryhej ose të binte i vdekur në çast; por, mbasi pritën gjatë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndryshuan mendim dhe thanë se ishte një perëndi.

7Edhe rreth atij vendi i kishte arat i pari i ishullit me emër Publius; ai na priti dhe na mbajti në shtëpi tri ditë miqësisht. 8Dhe ndodhi që i ati i Publit dergjej në shtrat, i sëmurë me ethe dhe me dizenteri; Pali i shkoi dhe, mbasi ishte lutur, vuri duart mbi të dhe e shëroi. 9Mbas kësaj edhe banorë të tjerë të ishullit që kishin sëmundje vinin tek ai dhe u shëruan; 10dhe këta na nderuan me shumë ndere dhe, kur u nisëm për të lundruar, na furnizuan gjërat e nevojshme.

11Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që kishte dimëruar në ishull dhe që kishte si shenjë Dioskurët. 12Dhe, si arritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë. 13Dhe, prej andej, duke lundruar afër bregut, arritëm në Rexho. Të nesërmen fryu juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuoli. 14Kur gjetëm atje vëllezër, na lutën të rrimë tek ata shtatë ditë. Dhe kështu mbërritëm në Romë. 15Dhe vëllezërit e atjeshëm, kur dëgjuan për ne, na dolën para deri te Fori Apian dhe te Tri Tavernat; dhe Pali, kur i pa, e falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.

16Kur arritëm në Romë, centurioni ia dorëzoi robërit komandantit të kampit; por Palit iu dha leja të rrijë më vete me një ushtar si roje.

17Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e Judenjve. Kur ata u mblodhën, u tha atyre: ''Vëllezër, ndonëse nuk bëra asgjë kundër popullit dhe kundër zakoneve të etërve, jam arrestuar në Jeruzalem dhe më kanë dorëzuar në duart e Romakëve. 18Ata, si më pyetën, donin të më lëshonin, sepse tek unë nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen. 19Por, duke qenë se Judenjtë kundërshtonin, u detyrova t'i apelohem Cezarit, jo se kam ndonjë akuzë kundër kombit tim. 20Për këtë arsye, pra, ju kam thirrur, ë t'ju shoh dhe t'ju flas, sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këta hekura''. 21Edhe ata i thanë: ''Ne nuk kemi marrë asnjë letër për ty nga Judeja, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të na tregojë ose të thotë ndonjë të keqe për ty. 22Por ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje ç'mendon, sepse për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra''.

23Dhe, mbasi i caktuan një ditë, erdhën shumë veta tek ai në banesën e tij; dhe ai shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë dhe, me anë të ligjit të Moisiut dhe të profetëve kërkonte 24Disa bindeshin nga ato që u thoshte, por të tjerë nuk besonin. 25Dhe, duke qenë në mospajtim njëri me tjetrin, u larguan, pasi Pali u tha pikërisht këto fjalë: ''Mirë u foli Fryma e Shenjtë me anë të profetit Isaia etërve tanë,

26duke thënë: "Shko tek ai popull dhe i thuaj: "Do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh, do të vështroni, por nuk do të shikoni;

27në fakt zemra e këtij populli u bë e ngurtë, dhe i janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë, që të mos shohin me sy dhe të mos dëgjojnë me veshë dhe të mos kuptojnë me zemër dhe të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.

28Ta dini, pra, se ky shpëtim i Perëndisë iu dërgua johebrenjve, dhe ata do ta dëgjojnë!''. 29Dhe si i tha këto fjalë, Judenjve ikën duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin.

30Dhe Pali ndenji plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe priste të gjithë ata që vinin tek ai, 31duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht me shumë liri dhe pa ndalim.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Acts 27
Top of Page
Top of Page