2 i Kronikave 33
Albanian
1Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi pesëdhjet e pesë vjet në Jeruzalem. 2Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit. 3Ai rindërtoi vendet e larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar, ngriti altarë për Baalët, bëri Asherimët dhe ra përmbys përpara tërë ushtrisë së qiellit dhe u vu në shërbim të saj. 4Ngriti gjithashtu altarë në shtëpinë e Zotit, për të cilën Zoti kishte thënë: "Emri im do të mbetet përjetë në Jeruzalem". 5Ndërtoi altarë për gjithë ushtrinë e qiellit në të dy oborret e shtëpisë të Zotit. 6I kaloi bijtë e tij nëpër zjarr në luginën e birit të Hinomit; përdori magjinë, shortarinë, dhe shtrigërinë, dhe konsultoi mediumet dhe magjistarët. Bëri plotësisht atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke provokuar zemërimin e tij. 7Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur, idhullin që kishte bërë, në shtëpinë e Perëndisë dhe për të cilën Perëndia i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: "Në këtë shtëpi dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur midis tërë fiseve të Izraelit, do të vë emrin tim përjetë; 8dhe nuk do të bëj që të endet më këmba e Izraelit larg vendit që u kam dhënë etërve të tyre, me kusht që të kujdesen të zbatojnë në praktikë gjithçka që kam urdhëruar, sipas tërë ligjit, statuteve dhe dekreteve të dhëna me anë të Moisiut". 9Por Manasi iu shmang Judës dhe banorët e Jeruzalemit duke i shtyrë të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit.

10Zoti i foli Manasit dhe popullit të tij, por ata nuk ia vurën veshin. 11Atëherë Zoti solli kundër tyre komandantët e ushtrisë së mbretit të Asirisë, që e zunë Manasin me çengela në hundë, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni. 12Kur u gjend në hall, iu lut shumë Zotit, Perëndisë të tij, dhe u përul thellë përpara Perëndisë të etërve të tij. 13Pastaj iu fal dhe iu lut shumë dhe Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jeruzalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manasi njohu që Zoti është Perëndia.

14Pas kësaj, Manasi ndërtoi një mur jashtë qytetit të Davidit, në perëndim të Gihonit, në luginë, deri te porta e peshqve; muri i vinte përreth Ofelit, dhe e bëri shumë të lartë. Pastaj vendosi komandantë ushtarakë në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës. 15Përveç kësaj hoqi nga shtëpia e Zotit perënditë e huaja dhe idhullin, së bashku me të gjithë altarët që kishte ndërtuar mbi malin e shtëpisë të Zotit dhe në Jeruzalem, dhe i hodhi jashtë qytetit. 16Pastaj restauroi altarin e Zotit dhe mbi të ofroi flijime falenderimi dhe lëvdimi, si dhe urdhëroi Judën t'i shërbente Zotit, Perëndisë të Izraelit. 17Megjithatë populli vazhdonte të ofronte flijime në vendet e larta, por vetëm Zotit, Perëndisë të tij.

18Pjesa tjetër e bëmave të Manasit, lutja që i drejtoi Perëndisë të tij dhe fjalët e shikuesve që i folën në emër të Zotit, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit. 19Përkundrazi lutja e tij dhe mënyra si Perëndia e dëgjoi, tërë mëkatet e tij dhe tërë pabesitë e tij, vendet ku ndërtoi vendet e larta dhe ngriti Asherimët dhe shëmbëlltyrat e gdhendura, para se të përulej, janë të shkruara në librin e Hozait. 20Pastaj Manasi pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në shtëpinë e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.

21Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi dy vjet në Jeruzalem. 22Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte bërë Manasi, ati i tij; në fakt Amoni u ofronte flijime tërë shëmbëlltyrave të gdhendura që kishte bërë i ati, Manasi, dhe u shërbente. 23Ai nuk u përul përpara Zotit, siç ishte përulur Manasi, i ati; Amoni madje mëkatoi gjithnjë e më shumë. 24Pastaj shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë në shtëpinë e tij. 25Por populli i vendit i dënoi me vdekje tërë ata që kishin komplotuar kundër mbretit Amon; pas kësaj populli bëri mbret në vend të tij, të birin, Josia.



Albanian

Bible Hub

2 Chronicles 32
Top of Page
Top of Page