1 i Samuelit 12
Albanian
1Atëherë Samueli i tha tërë Izraelit: "Ja, unë ju dëgjova për të gjitha ato që më thatë dhe vura një mbret mbi ju. 2Dhe tani ja, mbreti që do të shkojë para jush. Unë tashmë jam plak dhe i thinjur, dhe bijtë e mij janë midis jush, unë kam ecur para jush qysh nga rinia ime deri më sot. 3Ja ku jam, dëshmoni kundër meje përpara Zotit dhe përpara atij që është vajosur: Kujt i kam marrë kaun? Kujt i kam marrë gomarin? Kujt i kam ngrënë hakun? Cilin kam shtypur? Nga duart e kujt kam pranuar ndonjë dhuratë që më ka zënë sytë? Unë do t'jua kthej". 4Ata iu përgjegjën: "Ti nuk na ke ngrënë hakun, nuk na ke shtypur dhe nuk ke marrë asgjë nga duart e askujt". 5Ai u tha atyre: "Zoti është dëshmitar kundër jush dhe i vajosuri i tij është dëshmitar në këtë ditë, që nuk gjetët asgjë në duart e mia". Ata iu përgjegjën: "Po, ai është dëshmitar!".

6Atëherë Samueli i tha popullit: "Éshtë Zoti që i vendosi Moisiun dhe Aaronin, dhe që i nxori etërit tuaj nga Egjipti. 7Prandaj paraqituni që unë të kem mundësi para Zotit të vë në dukje bashkë me ju veprat e drejta që Zoti ka kryer për ju dhe për etërit tuaj. 8Pas vajtjes së Jakobit në Egjipt dhe mbas thirrjeve të etërve tuaj drejtuar Zotit, Zoti dërgoi Moisiun dhe Aaronin që i nxorën etërit tuaj nga Egjipti dhe i bëri të banojnë në këtë vend. 9Por ata e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i shiti në duart e Siseras, komandantit të ushtrisë së Hatsorit, dhe në pushtetin e Filistejve dhe të mbretit të Moabit, të cilët u shpallën luftë atyre. 10Atëherë i thirrën Zotit dhe i thanë: "Kemi mëkatuar, sepse kemi braktisur Zotin dhe u kemi shërbyer Baalëve dhe Ashtarothëve; por tani na çliro nga duart e armiqve tanë dhe ne do të të shërbejmë ty". 11Dhe kështu Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedanin, Jeftin dhe Samuelin, dhe ju çliroi nga duart e armiqve tuaj që ndodheshin rreth e rrotull, dhe ju jetuat në siguri.

12Por kur patë që Nabashi, mbret i bijve të Amonit, filloi të lëvizë kundër jush, më thatë: "Jo, një mbret duhet të sundojë mbi ne", pikërisht kur Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj. 13Ky është, pra, mbreti që keni zgjedhur dhe keni kërkuar; ja, Zoti ka vënë një mbret mbi ju. 14Në qoftë se keni frikë nga Zoti, i shërbeni dhe dëgjoni zërin e tij, dhe nuk ngrini krye kundër urdhërimeve të Zotit, atëherë ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju do të ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj. 15Por në rast se nuk i bindeni zërit të Zotit dhe kundërshtoni urdhërimet e tij, atëherë dora e Zotit do të ngrihet kundër jush, ashtu si është ngritur kundër etërve tuaj. 16Prandaj tani ndaluni dhe shikoni këtë gjë të madhe që Zoti do të bëjë para syve tuaj. 17A nuk jemi vallë në kohën e korrjes së grurit? Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit dhe ai do të dërgojë bubullima dhe shi; kështu do të kuptoni dhe do të shihni se e keqja që keni bërë duke kërkuar një mbret për ju, është e madhe në sytë e Zotit". 18Atëherë Samueli kërkoi ndihmën e Zotit dhe ai dërgoi atë ditë bubullima dhe shi; dhe tërë populli pati një frikë të madhe nga Zoti dhe nga Samueli.

19Pastaj tërë populli i tha Samuelit: "Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu, që të mos vdesin, sepse tërë mëkateve tona u kemi shtuar të keqen e kërkimit të një mbreti për ne". 20Samueli iu përgjegj popullit: "Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj. 21Mos u largoni për të ndjekur gjëra të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë, sepse janë gjëra të kota. 22Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t'ju bëjë popullin e vet. 23Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju; përkundrazi, do t'ju tregoj rrugën e mirë dhe të drejtë. 24Vetëm kini frikë nga Zoti dhe i shërbeni besnikërisht me gjithë zemër; mbani parasysh gjërat e mëdha që ka bërë për ju. 25Por në rast se vazhdoni të bëni të keqen, si ju ashtu dhe mbreti juaj do të flakeni tutje".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

1 Samuel 11
Top of Page
Top of Page