Albanian 1Hapi dyert e tua, Liban, me qëllim që zjarri të djegë kedrat e tu. 2Vajto, selvi, sepse kedri ka rënë, sepse drurët madhështorë janë shkatërruar. Këlthisni, lisa të Bashanit, sepse pylli i padepërtueshëm është rrëzuar. 3Dëgjohet vajtimi i barinjve, sepse shkëlqimi i tyre u shkretua; dëgjohet vrumbullima e luanëve të vegjël, sepse madhështia e Jordanit u shkretua. 4Kështu thotë Zoti, Perëndia im: "Kulloti delet që janë caktuar për thertore, 5blerësit e të cilave vrasin dhe nuk konsiderohen fajtorë dhe shitësit e të cilave thonë: "Qoftë bekuar Zoti, sepse unë po pasurohem" dhe barinjtë e të cilave nuk kanë kurrfarë mëshire. 6Nuk do të kem më mëshirë për banorët e vendit", thotë Zoti, "madje do të bëj që secili prej tyre të bjerë në dorë të të afërmit të vet dhe në dorë të mbretit të vet. Ata do ta shkretojnë vendin dhe nuk do të çliroj asnjë nga duart e tyre". 7Atëherë nisa t'i kullos delet që ishin caktuar për thertore, pikërisht më të mjerat e kopesë. Mora pastaj për vete dy shkopinj: njërin e quajta "Hir" dhe tjetrin "Bashkim", dhe nisa ta kullos kopenë. 8Brenda një muaj eliminova tre barinj. Unë isha i paduruar me ta, edhe ata gjithashtu më urrenin. 9Atëherë thashë: "Nuk do t'i kullos më; kush është duke vdekur, le të vdesë dhe kush është për të humbur, le të humbasë; pastaj ato që do të mbeten le të hanë njëra tjetrën". 10Mora pastaj shkopin tim "Hir" dhe e theva, për të shfuqizuar besëlidhjen që kisha lidhur me gjithë popujt. 11Po atë ditë ai u shfuqizua. Kështu delet më të mjera të kopesë që po më shikonin, e kuptuan se ajo ishte fjala e Zotit. 12Atëherë u thashë atyre: "Po t'ju duket e drejtë, më jepni pagën time; në se jo, lëreni". Kështu ata e peshuan pagën time: tridhjetë sikla argjendi. 13Por Zoti më tha: "Hidhja poçarit çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan". Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit për poçarin. 14Pastaj theva shkopin tjetër "Bashkimi", për të thyer vëllazërinë ndërmjet Judës dhe Izraelit. 15Atëherë Zoti më tha: "Merri edhe veglat e një bariu të pamend. 16Sepse ja, unë do të nxjerr në vend një bari që nuk do të kujdeset për delet që humbasin, nuk do t'i kërkojë ato që janë të reja, nuk do të shërojë të plagosurat, nuk do të ushqejë ato që rrijnë në këmbë, por do të hajë mishin e të majmeve dhe do t'u shkulë edhe thonjtë". 17Mjerë bariu i pavlerë që e braktis kopenë! Një shpatë do të jetë kundër krahut të tij dhe kundër syrit të tij të djathtë. Krahu i tij do të thahet krejt dhe syri i tij do të verbohet fare. |