Fjalët e urta 4
Albanian
1Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,

2sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.

3Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,

4ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

5Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;

6mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.

7Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.

8Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.

9Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".

10Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.

11Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.

12Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.

13Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.

14Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;

15evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.

16Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;

17ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.

18Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.

19Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë.

20Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;

21mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;

22sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.

23Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.

24Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.

25Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.

26Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.

27Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Proverbs 3
Top of Page
Top of Page