Albanian 1Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 2Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim. 3Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij! 4Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente. 5Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë. 6A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje. 7Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë. 8Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh; 9vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj. 10Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari. 11Këmba ime ka ndjekur me përpikmëri gjurmët e tij, i jam përmbajtur rrugës së tij pa devijuar; 12nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit. 13Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën, 14kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka dekretuar kundër meje, dhe plane të tilla ka mjaft të tjera. 15Prandaj në prani të tij e ndjej veten të tmerruar; kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij. 16Perëndia ma ligështon zemrën, i Plotfuqishmi më tmerron. 17Sepse nuk u asgjësova përpara territ; dhe ai nuk e fshehu terrin e dendur nga fytyra ime". |