Ligji i Përtërirë 6
Albanian
1Ky është urdhërimi, statutet dhe dekretet që Zoti, Perëndia juaj, ka urdhëruar t'ju mësojë, për t'i zbatuar në vendin në të cilin po hyni për ta marrë në zotërim; 2me qëllim që ti të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të respektosh gjatë gjithë ditëve të jetës sate, ti, yt bir dhe djali i birit tënd, të tëra statutet dhe të gjitha urdhërimet e tij që unë po të jap, dhe me qëllim që ditët e jetës sate të zgjaten. 3Dëgjo, pra, Izrael, dhe ki kujdes t'i zbatosh në praktikë, me qëllim që të njohësh begatinë dhe të shumëzohesh me të madhe në vendin ku rrjedh qumësht dhe mjalt, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu.

4Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. 5Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. 6Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; 7do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. 8Do t'i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, 9dhe do t'i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.

10Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar, 11dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur, 12ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. 13Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t'i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij. 14Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë, 15(sepse Zoti, Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi ziliqar); përndryshe zemërimi i Zotit, Perëndisë tënd, do të ndizej kundër teje dhe do të bënte që ti të zhdukesh nga faqja e dheut.

16Nuk do të tundoni Zotin, ashtu si u përpoqët në Masa. 17Do të respektoni me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, rregullat dhe statutet e tij që ai ju ka urdhëruar. 18Prandaj do të bësh atë që është e drejtë dhe e mirë në sytë e Zotit, që ti të përparosh dhe të hysh e të pushtosh vendin e mirë që Zoti iu betua t'u japë etërve të tu, 19duke dëbuar tërë armiqtë e tu, ashtu siç kishte premtuar Zoti.

20Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë: "Çfarë kuptimi kanë këto rregulla, statute dhe dekrete, që Zoti, Perëndia ynë, ju ka urdhëruar?", 21ti do t'i përgjigjesh birit tënd: "Ishim skllevër të Faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme 22Përveç kësaj Zoti veproi para syve tona, kreu mrekulli të mëdha dhe të tmerrshme kundër Egjiptit, Faraonit dhe gjithë shtëpisë së tij. 23Dhe na nxori që andej për të na çuar në vendin që u ishte betuar t'u jepte etërve tanë. 24Kështu Zoti na urdhëroi të zbatonim në praktikë të gjitha këto statute duke pasur frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që të kemi gjithnjë mirëqënie dhe që ai të na mbante të gjallë, siç po ndodh tani. 25Dhe kjo do të jetë drejtësia jonë në rast se kujdesemi të zbatojmë në praktikë tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na ka urdhëruar"".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Deuteronomy 5
Top of Page
Top of Page