Jeremia 43
Albanian
1Ndodhi që kur Jeremia mbaroi së njoftuari tërë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Perëndisë të tyre, tërë fjalët që Zoti, Perëndia i tyre, u kishte dërguar atyre, 2Azaria, bir i Hoshajahut dhe Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë njerëzit krenarë i thanë Jeremias: "Ti flet të pavërteta; Zoti, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar të thuash: "Mos shkoni në Egjipt për të banuar atje", 3por Baruku, bir i Neriahut, të nxit kundër nesh që të na japë në dorë të Kaldeasve, që ne të vdesim ose të na çojnë në robëri në Babiloni". 4Kështu Johanani, bir i Kareahut, tërë krerët e forcave dhe tërë populli nuk iu bindën urdhrit të Zotit që të qëndronin në vendin e Judës. 5Por Johanani, bir i Kareahut, dhe të gjithë krerët e forcave morën tërë të mbeturit e Judës që ishin kthyer nga të gjitha kombet ku ishin shpërndarë, për të banuar në vendin e Judës: 6burrat, gratë, fëmijët, vajzat e mbretit dhe të gjithë personat që Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte lënë bashkë me Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit, bashkë me profetin Jeremia dhe me Barukun, birin e Neriahut, 7dhe shkuan në vendin e Egjiptit, sepse nuk iu bindën zërit të Zotit, dhe arritën deri në Tahpanhes.

8Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias në Tahpanhes, duke thënë: 9Merr në duart e tua gurë të mëdhenj dhe fshihi në argjilën e furrës së tullave që ndodhet në hyrje të shtëpisë së Faraonit në Tahpanhes, në sytë të njerëzve të Judës. 10Pastaj do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të dërgoj të marr Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do të vendos fronin e tij mbi këta gurë që kam fshehur, dhe ai do të shtrijë shatorren e tij mbretërore mbi to. 11Ai do të vijë dhe do të godasë vendin e Egjiptit, dhe do të çojë në vdekje ata që janë caktuar të vdesin, në robëri ata që janë caktuar të jenë robër dhe në shpatë ata që janë caktuar për shpatë. 12Unë do t'u vë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit; ai do t'i djegë dhe do t'i çojë në robëri dhe do të mbështillet me vendin e Egjiptit ashtu siç mbështillet bariu në veshjen e tij; pastaj do të niset që andej në paqe. 13Do të copëtojë gjithashtu shtyllat e shenjta të tempullit të diellit, që ndodhen në vendin e Egjiptit, dhe do t'u vërë flakën tempujve të perëndive të Egjiptit".



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Jeremiah 42
Top of Page
Top of Page