Fjalët e urta 2
Albanian
1Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia,

2duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes;

3po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim,

4në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur,

5atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.

6Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.

7Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri

8për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij.

9Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës.

10Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,

11të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,

12për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija,

13nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ,

14që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq,

15shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha,

16për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese,

17që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.

18Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve.

19Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.

20Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.

21Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty;

22por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.



Albanian

Bible Hub

Proverbs 1
Top of Page
Top of Page