Jakobit 3
Albanian
1Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër, 2sepse të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur, dhe është gjithashtu i aftë t'i vërë fre gjithë trupit. 3Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre. 4Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri. 5Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç'pyll të madh djeg! 6Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena. 7Sepse çdo lloj bishash, shpendësh, zvaranikësh e kafshësh të detit mund të zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore, 8kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s'mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës. 9Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë. 10Nga e njejta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu. 11Mos vallë burimi nxjerr nga e njejta vrimë ujë të ëmbël e të hidhur? 12A mundet të prodhojë fiku ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël.

13Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. 14Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. 15Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. 16Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija, 17Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. 18Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

James 2
Top of Page
Top of Page