Titi 1
Albanian
1Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohjes të së vërtetës që është sipas perëndishmërisë, 2në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave, 3dhe që në kohë të caktuara e shfaqi fjalën e tij me anë të predikimit që m'u besua me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,

4Titit, birit të vërtetë në besimin e përbashkët: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë, Atit, dhe prej Zotit Jezu Krisht, Shpëtimtarit tonë.

5Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të ndreqësh mirë çështjet që janë për t'u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, ashtu siç të porosita; 6secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë. 7Sepse peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm, 8por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur, 9që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.

10Sepse ka, veçanërisht ndërmjet atyre që janë nga rrethprerja, shumë të pabindur, llafazanë dhe mashtrues, të cilëve u duhet mbyllur goja; 11këta ngatërrojnë familje të tëra, duke mësuar ato që s'duhet, për fitim të ndyrë. 12Një prej tyre, pikërisht një profet i tyre, tha: "Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, egërsira të këqija, barkpërtacë!" 13Kjo dëshmi është e vërtetë; prandaj qortoji me ashpërsi, që të shëndoshen në besim, 14pa u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që largohen nga e vërteta. 15Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegja e tyre janë të ndotura. 16Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepre të mirë.



Albanian

Bible Hub

2 Timothy 4
Top of Page
Top of Page