Albanian 1Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të,
2të mos lejoni që menjëherë t'ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit.
3Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,
4kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.
5A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?
6Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet.
7Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.
8Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.
9Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme,
10dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.
11E prandaj Perëndia do t'u dërgojë atyre një gënjim që do t'i bëjë të gabojnë, që t'i besojnë gënjeshtrës,
12që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë! 13Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t'ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën; 14tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht. 15Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë. 16Dhe vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë, 17ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë. |