Fjalët e urta 26
Albanian
1Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.

2Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.

3Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.

4Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.

5Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.

6Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.

7Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.

8Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.

9Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.

10Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.

11Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.

12A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.

13Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".

14Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.

15Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.

16Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.

17Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.

18Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,

19kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".

20Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.

21Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.

22Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.

23Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.

24Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.

25Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.

26Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.

27Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.

28Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Proverbs 25
Top of Page
Top of Page