Luka 21
Albanian
1Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit, 2dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla 3dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët. 4Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar''.

5Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha: 6''Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''.

7Atëherë ata e pyetën duke thënë: ''Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?''. 8Dhe ai tha: ''Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam", dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre. 9Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë''.

10Atëherë u tha atyre: ''Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë; 11do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

12Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t'ju përndjekin dhe do t'ju dorëzojnë në sinagoga e do t'ju futin në burg; dhe do t'ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim, 13por kjo do t'ju japë rastin që të dëshmoni. 14Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t'u mbrojtur, 15sepse unë do t'ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t'i rezistojnë. 16Dhe ju madje do t'ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t'i vrasin. 17Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t'ju humbasë. 19Me durimin tuaj ju do t'i fitoni shpirtrat tuaj''.

20''Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër. 21Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të. 22Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar. 23Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull. 24Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve''.

25''Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; 26njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden. 27Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe. 28Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër''.

29Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Vini re fikun dhe të gjitha pemët. 30Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër; 31kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. 32Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur. 33Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''.

34''Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. 35Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. 36Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut''.

37Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve. 38Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Luke 20
Top of Page
Top of Page