Gjoni 3
Albanian
1Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i Judenjve. 2Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: ''Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të''. 3Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë''.

4Nikodemi i tha: ''Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?''. 5Jezusi u përgjigj: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë. 7Mos u mrrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". 8Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma''.

9Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: ''Si mund të ndodhin këto gjëra?''. 10Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra? 11Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. 12Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore? 13Askush nuk u ngjit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell. 14Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, 15që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

16Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. 17Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. 18Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. 19Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. 20Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; 21por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë''.

22Pas këtyre gjërave, Jezusi erdhi me dishepujt e vet në tokën e Judesë dhe qëndroi aty bashkë me ta dhe pagëzonte. 23Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë; dhe njerëzit vinin dhe pagëzoheshin, 24sepse Gjoni s'ishte hedhur akoma në burg.

25Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit. 26Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: ''Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai''. 27Gjoni u përgjigj dhe tha: ''Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli. 28Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij". 29Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar! 30Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.

31Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë. 32Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij. 33Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë. 34Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë. 35Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë. 36Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të''.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

John 2
Top of Page
Top of Page