Zanafilla 13
Albanian
1Abrami, pra, u rikthye nga Egjipti në drejtim të Negevit bashkë me gruan dhe gjithçka zotëronte. Dhe Loti ishte bashkë me të.

2Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar. 3Nga Negevi ai vazhdoi udhëtimin e tij deri në Bethel, në vendin ku më parë ndodhej çadra e tij, midis Bethelit dhe Ait, 4në vendin e altarit që kishte ndërtuar në krye, dhe aty Abrami i bëri thirrje emrit të Zotit. 5Edhe Loti, që udhëtonte bashkë me Abramin, kishte kope bagëtish dhe çadra. 6Dhe vendi nuk ishte në gjendje t'i mbante, po të banonin bashkë, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë. 7Lindi kështu një mosmarrëveshje midis barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. Në atë kohë banonin në këtë vend Kananejtë dhe Perezejtë.

8Dhe kështu Abrami i tha Lotit: "Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. 9A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas". 10Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit. 11Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t'izhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë njëri nga tjetri. 12Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë. 13Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit.

14Dhe Zoti i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: "Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit. 15Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë. 16Dhe do t'i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj në se dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu. 17Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty". 18Atëherë Abrami i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit.



Albanian, ABS Version 1994

This text is copyright the Albanian Bible Society (ABS)

Bible Hub

Genesis 12
Top of Page
Top of Page